Partia Demokratike është regjistruar në regjistrin e Partive Politike me kryetar, Sali Berisha. Dokumenti zyrtar i publikuar sot i ka dhënë fund përplasjes 3 vjeçare në dyert e Gjykatës së Tiranës me ish-kryetarin e kësaj partie, Lulzim Basha.
Deri më sot vula e Partisë Demokratike ka kaluar sa në duart e Bashës dhe sa në ato të grupit të Berishës. Kjo betejë ligjore ka nisur në shtator 2021, kur Lulzim Basha në atë kohë kryetar i PD, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar liderin Sali Berisha.
Kjo përplasje solli dhe përçarjen midis demokratëve teksa Berisha nisi një lëvizje të ashpër dhe fitoi mbështetjen e shumicës së deputetëve. Në 11 dhjetorin e vitit 2021, në Kuvendin e thirrur nga lideri historik i demokratëve, u shkarkua Lulzim Basha, u miratua statusi i ri i PD dhe në krye të kësaj force politike u vendos Komisioni i Rithemelimit.
Kjo përçarje në opozitë pasoi me një ngjarje të rëndë për partinë më të madhe opozitare, ku mbështetësit e Bashës dhe Berishës u përplasën dhunshëm në ambientet e jashtme të selisë blu më 8 janar 2022.
Ndërkohë më pas Sali Berisha mori pjesë në zgjedhjet e pjesshme teksa fitoi bashkinë e Shkodrës ndërsa Lulzim Basha doli forca e tretë politike në vend. Pas kësaj humbje, Basha u tërhoq nga politika aktive dhe dha dorëheqjen si kreu i Partisë Demokratike.
Në përplasjen e gjatë ligjore, Berisha e fitoi statusin e kryetarit të PD me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë por e humbi në Apel. Beteja ligjore është finalizuar sot me vendim të Gjykatës së Tiranës e cila i dha të drejtë Sali Berishës duke e shpallur ligjërisht si kryetar të Partisë Demokratike.