
“Bëji një nder demokratëve të gjithë opozitës! Jep dorëheqjen dhe largohu!”, ky është një ndër komentet e bëra nga ndjekësit në postimin e publikuar pak më herët nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ku njoftoi shqiptarët për protestën e së premtes.
Ish-kryeministri Berisha deklaroi një ditë më parë se forca politike që ai drejton nuk do të pranojë zgjedhjet e 11 Majit dhe fitoren e Partisë Socialiste e cila sipas kreydemokratit u arrit përmes bandave dhe përdorimit të pushtetit.
Por, mesa duket demokratët nuk presin këtë nga lideri i tyre, por dorëheqjen dhe riformimin nga themelet të Partisë Demokratike.
Madje, disa prej tyre i kërkojnë që të mos vijojnë me protestat pasi ashtu si dhe vetë komentuesi e pohon “demokratët janë lodhur”.
“Jep doreheqjen, e ndihmon me shume PD edhe opoziten”, komenton një tjetër komentues.

Kujtojmë se Partia Demokratike në zgjedhjet e 11 Majit shënoi një humbje të madhe. Ata arritën që të marrin vetëm 50 mandate, duke humbur kështu edhe “ulëset” e sigurta në Parlament.
Socialistët fituan me 733149 vota duke siguruar plot 83 vende në Parlamentin e Shqipërisë. Ndërsa, në rang vendi Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 481548 vota, ose e përkthyer ndryshe, 34.26%.