Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama ka paditur në gjykatë Sali Berishën dhe disa nga deputetët e tij.
Në padi ajo shpjegon me detaje se çfarë e shtyu atë të ndërmarrë këtë hap, ku nuk lë pa përmendur akuzat ndër vite të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në aktpadinë e disponuar nga Top Channel përmenden emrat e deputetëve opozitarë si Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Ata janë paditur për cenimin të personalitetit dhe reputacionit nga përhapja e thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse.
“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua.
Në këto 8 vite, kam gjykuar që shpifjet publike ndaj meje, të konsumuara nga ana e përgojuesit tim në terrenin politik e publik, nuk meritojnë përfshirjen time. Kjo sepse së pari, nuk kam zgjedhur politikën si fushë të interesit tim dhe nuk jam jo vetëm faktor i drejtëpërdrejtë, po as i tërthortë i debatit politik. Së dyti, sepse Sali Berisha është shpallur “shpifës” me vendim gjykate në shumë raste dhe më është dukur sikur durimi ishte më i arsyeshëm se sa denoncimi i një personazhi që shpifjen e ka natyrë të dytë.
Së fundi, sepse ky personazh nuk ka pushuar së shënjestruari, godituri dhe përbalturi nënën time, Linda Ramën, nga momenti që ajo zgjodhi të ishte bashkëshorte e Edi Ramës. Linda, nëna ime, është shembulli im i qytetarisë dhe profesionalizmit, modeli i përkushtimit familjar dhe dinjitetit publik”, shkruan Rea Xhillari.
Sipas vajzës së bashkëshortes të kryeministrit Rama, shpifet ndaj saj avancuan pas një kërkese shkresore duke u transportuar nga hapësira e dalldisë politike, në institucionin ligjvënës të vendit tim.
Këtu vlen të përmendet kërkesa për interpelancë nga deputetët e opozitës, që akuzuan publikisht Rea Xhillarin se kishte marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, si bashkëpunëtore edhe nëpërmjet subjektit tregtar “I RI” sh.p.k., bashkëthemeluar nga shtetasi Gent Agolli dhe subjekti 51N4E”.
“Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë. Ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre”, thuhet në akuzat e PD.
Rea Xhillari i ka mohuar këto deklarime, duke i konsideruar të rreme dhe tejet të rënda.
“Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, shprehet Rea Xhillarit.
Më tej ajo sqaron edhe raportin me kompaninë 51N4E në Belgjikë, ku thotë se është pranuar si studente praktikante për një periudhë 9 mujore, në vitin 2011, kohë kur Rama nuk mbante asnjë funksion shtetëror.
“Për të kryer Praktikën time Mësimore (apo Stazhin), kam aplikuar në studion e projektimit 51N4E në Belgjikë. Aplikimit tim për t’u pranuar si studente praktikante për një periudhë 9 mujore, kjo studio i është përgjigjur pozitivisht në Shtator të vitit 2011 Nënvizoj se Edi Rama në atë moment nuk mbante asnjë funksion zyrtar ndërsa unë isha thjesht një studente.
Të paditurit solidarë të Kuvendit të Shqipërisë, thekson Rea Xhillari, në kërkesën e tyre për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, kanë sajuar një identikit timin pa kurrfarë lidhje me mua dhe kanë marrë përsipër të më caktojnë nëpërmjet shpifjes si partner profesional një individ plotësisht të panjohur për mua,” shprehet Rea Xhillari, e cila e mbyll aktpadinë duke kërkuar drejtësi.
“Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti politik, social dhe ligjor, përveçse duke i’u drejtuar drejtësisë”.