
Gjatë ceremonisë për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër drejtimin politik të zgjedhjeve për kryeqytetin, duke marrë shkas nga burgosja e Erion Veliajt.
Rama paralajmëroi një fushatë të fuqishme dhe një angazhim të jashtëzakonshëm për të arritur objektivat e caktuara dhe theksoi se Tirana do të kontribuojë me numrin më të madh të deputetëve për forcën politike më të madhe në vend.
“Do të takohemi rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them “kjo është mirë, kjo nuk është mirë”, si gjithmonë. Dhe pastaj së bashku më të gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë të mundur që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të bëjmë që të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës më 11 maj, kur falë edhe blerjes më të fundit që ka bërë skuadra, marrjes së Erion Braçës në Tiranë, kutitë e votimit do të jenë mavi flakëritëse cep më cep, në çdo lagje dhe çdo qendër.
Falë asaj që ndodhi dje u bë e qartë që edhe unë do të jem këtu në Tiranë, bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës edhe nuk diskutohet në 11 maj, Tirana do t'i japë Shqipërisë numrin më të madh të deputetëve të forcës politike më të madhe në vend,” tha Rama.