Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, teksa ditën e djeshme nuk mundi të jepte një prononcim për mediet pas përfundimit të seancës në SPAK, ka zhvilluar një intervistë gjatë ditës së sotme nga qelia nr,5 e burgut ku po qëndron prej gati 3 muajsh.
I pyetur nga Syri.Tv, mbi senacën e djeshme në SPAK, Ilir Meta ka theksuar dhe njëherë se ai nuk është njoftuar në rrugë ligjore nga Stuktura e Posaçme për këtë seancë që ishte vendosur të zhvillohej ditën e djeshme në orën 10:00, por lajmin e kishte marrë vesh nga mediet teksa afishonin në ekran pamjet e Fatime Kryemadhi duke dalë nga SPAK.
Lideri i PL tregon se fillimisht i ka drejtuar prokurorëve të çështjes për të ditur më shumë mbi kërkesën e çuar në SPAK nga avokatët mbrojtës për personat e përfshirë në arrestimin e tij të paligjshëm, siç e cilëson Meta.
Ndër të tjera ish presidenti vijon të thotë se ka drejtuar pyetje mbi çështjet që kanë interes të lartë publik, ajo e McGonigal dhe mbi hetimin e “Gruas së Bilalit”. Ai gjithashtu thotë se ka paraqitur dhe në seancë dokumentat e bëra publike dje në rrjete sociale që ngarkojnë me përgjegjësi penale Edi Ramën, Ëngjëll Agaçin dhe Erion Veliajn.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: Z. Meta, dje ju u pyetët nga SPAK gati 3 muaj pas arrestimit tuaj të bujshëm. Çfarë ndodhi në atë që ju e quajtët seancë reciproke të marrjeve në pyetje midis SPAK dhe juve?
Ilir Meta: Seanca në vetvete ishte konstruktive edhe pse ajo ishte një vazhdim i cënimit të procesit të rregullt ligjor ndaj meje.
E theksoj këtë pasi unë fatmirësisht u njoha me faktin se do pyetesha në SPAK vetëm nga titrat e një TV pranë regjimit 24 orë përpara dhe fiks këto titra dolën në të gjitha ekranet e TV që janë financuar nga inceneratorët vetëm 2 minuta pasi gjyshja e tre fëmijëve të mi doli nga SPAK-u e rrethuar nga dhjetëra media.
Kur ju ngritëm këtë pretendim përfaqësuesve të SPAK- ut, se nuk kishim njoftim zyrtar sipas ligjit dhe procedurave, ata u habitën sepse ky njoftim ishte firmosur që në 30 Dhjetor, ndërkohë që edhe tani që po ju përgjigjem, kjo shkresë ende nuk ka ardhur te qelia ime Nr.5, e cila në vijë ajrore është vetëm 100 metra nga zyrat e SPAK.
Por dua të theksoj se seanca nisi me pyetjen apo kërkesën time se çbëhej me kallëzimin tonë për ndjekje penale për përgjegjësit e arrestimit tim të paligjshëm të dorëzuar në 6 Dhjetor, për të cilën morëm përgjigje se po hetohej nga një prokuror tjetër.
Më pas ne iu përgjigjëm në mënyrë shumë korrekte çdo pyetje të bërë ashtu sic kam bërë edhe në të kaluarën kur jam pyetur për çdo çështje.
Natyrisht që në fund të pyetjeve të tyre dhe përgjigjeve që dhashë si person nën hetim, në cilësinë time si President i Partisë së Lirisë, meqënëse interesi i tyre ishte në fushën e lobimeve edhe unë i pyeta për dy çështje me interes të lartë publik.
Së pari: Çfarë bëhet nga SPAK me hetimin e çështjes McGonigal, pra ish-kryeagjentit të FBI të dënuar me burg edhe për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve që ende është Kryeministër dhe i pa pyetur për këtë çështje?
Së dyti: Çfarë bëhet me hetimin e “Gruas së Bilalit” për skandalin e fotos së paligjshme me Presidentin Obama për të cilën një shtetas shqiptaro- amerikan është dënuar në SHBA?
Dhe natyrisht në fund fare, përsëri si President i Partisë së Lirisë që ka bërë denoncime të shumta për kryeaferën e inceneratorëve, u vura në dispozicion 3 shkresa zyrtare që janë edhe fakte e prova penale të depozituara të cilat ngarkojnë me përgjegjësi penale individuale nga 3 herë Edi Ramën dhe Ëngjëll Agaçin dhe një herë Kryebashkiakun e Tiranës, të cilat i bëra publike edhe në rrjetet sociale, këto shkresa zyrtare janë të vitit 2014 dhe 2017.
Përgjigjia e tyre ishte se nuk ishin kompetentë për këtë çështje, ndaj Partia e Lirisë do t’i drejtohet përsëri zyrtarisht SPAK-ut për të 5 këto çështje që përbëjnë përgjegjësi individuale dhe penale për Edi Ramën.
Ndërkohë Meta nuk i ka shpëtuar as pyetjes në lidhje me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, e cila po gjykohet në një dosje me Metën. Ilir Meta refuzon të japë përgjigje që e lidhin me Kryemadhin teksa thotë se prentendimet e ngritura për të, nuk kanë lidhje me Metën.
Presidenti i PL thotë se çështjet e hapura hundër dij CEZ-DIA, janë veprime të ndërmarra nga qeveria aktuale me qëllim goditjen e figurës së tij, personave të afërm dhe të partisë PL.
Gazetari: Ndërkohë që ju u treguat bashkëpunues me SPAK, ish- bashkëshortja juaj, deputetja Monika Kryemadhi, një ditë më parë deklaroi se nuk do t’i përgjigjet më SPAK- ut por do të fliste vetëm në Gjykatë. Si e komentoni ju këtë për më tepër që media e evidentoi këtë dallim?
Ilir Meta: Asnjë koment, sepse nuk shoh asnjë lidhje midis pretendimeve që bëhen ndaj saj dhe atyre ndaj meje.
Natyrisht që SPAK, që qëllimisht nuk i bashkoi në një çështjen e tre inceneratorëve, ka “ lidhur” çështje që nuk kanë asnjë lidhje me njëra – tjetrën, pasi z. Dumani nisi hetimet për çështjen CEZ – DIA që në Dhjetor 2019 dhe në pamundësi për të gjetur një provë apo fakt penal për këtë çështje (të gjykuar 3 herë brenda vendit dhe në Arbitrazh Vjenë 2014) në bashkëpunim me regjimin hapën edhe nja 5 çështje të tjera me qëllim që të gjenin një fakt apo provë për mua apo edhe njerëz të afërt me mua me qëllim goditjen time politike e sidomos Partinë e Lirisë.
Ndaj jemi në një situatë tragjike për sa i takon degradimit të shtetit të së drejtës që nga rrëmbimi im banditesk, që do të jetë precedenti më skandaloz për Gjykatën e Strasburgut e deri te pretendimi komik i SPAK- ut se unë paskam ndërhyrë si Kryetar Kuvendi për të bërë një ndryshim ligjor në interes të një biznesmeni si Kryetar Kuvendi, kur nga vetë dosja e SPAK provohet se amendamenti është bërë nga deputetja e Edi Ramës në atë kohë, se ligji është mbrojtur nga Edi Rama dhe se ai kishte 65 vota, ndërsa LSI vetëm 16 vota.
Nuk dua t’ju marr kohën edhe më shumë me marrëzira të tjera që tronditën edhe ish-admiruesin e SPAK-ut, z. Baton Haxhia, kur lexoi dosjen që SPAK-u e nxorri qëllimisht në media.