
Sekretari për Çështjet Politike dhe Parlamentare në Partinë e Lirisë, doktor Petrit Vasili feston ditën e sotme 66 vjetorin e tij të lindjes.
Lajmin e ka bërë të ditur, ish-presidenti Ilir Meta, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, e ka uruar Vasilin me fjalë zemre, ndërsa e ka falenderuar edhe për kontributin që ai ka dhënë në këto vite në Partinë e Lirisë.
“Edhe 100 pranvera të reja për Dr.Petrit Vasilin, ndër themeluesit kryesorë të projektit tonë të përbashkët për të themeluar një Parti në shërbim të Shqipërisë, por edhe të së vërtetës.
Kënaqësi që edhe sot ai shkëlqen me energjinë dhe kurajon e tij të pashembullt për triumfin e vlerave më të mira kombëtare, shoqërore dhe njerëzore.
Një shembull për më të rinjtë se Shqipëria që duam kërkon më shumë përkushtim dhe pasion për t'u realizuar nga vetë ne shqiptarët e përgjegjshëm dhe patriotë”,- shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.
Ndërkohë që përpos urimit për ditën e lindjes, ai ka nxjerrë edhe një detaj të rëndësishëm për Vasilin, duke shtuar se përgëzon edhe skuadrën e tij të zemrës “Interin”, që kurorëzohet si kampione e Italisë, ditën e sotme.
“Urime edhe për skuadrën e tij të zemrës Interin që kurorëzohet sot si kampione e Italisë! Dy gëzime në një ditë”,- shkruan Meta.