
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë së fundmi të dhënat e fundit lidhur me ecurinë e procesit të votimit nga emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.
Përmes një njoftimi të shpërndarë në llogarinë zyrtare të KQZ si dhe në statistikat e afishuara në website i këtij institucioni, mësohet se deri më tani mbi 60 mijë shqiptarë kanë votuar dhe kanë dërguar në KQZ zarfin e tyre.
Konkretisht nga 193,823 zarfe të cilat kanë arritur në shtëpinë e shqiptarëve, 66.886 prej tyre, ose ndryshe e përkthyer në përqindje, 27%, kanë kthyer votën mbrapsht, pra kanë votuar dhe zarfi me votën e tyre ka mbërritur në KQZ.

Votat e ardhura nga diaspora do të administrohen dhe numërohen në Pallatin e Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë, pas zgjedhjeve të 11 mait.
Ndërkohë, theksojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar në mënyrë të vazhdueshme votuesit jashtë vendit, sidomos ata nga Greqia, përmes e-mailit dhe mesazheve telefonike, për të kontrolluar statusin e dërgesës së zarfit të votimit të dërguar përmes postës. Në rast se votuesit nuk ndodhen në banesë në momentin e dorëzimit, zarfi do të dorëzohet në pikën më të afërt postare.
Për të lehtësuar këtë proces, disa zyra postare do të punojnë me orar të zgjatur dhe do të ofrojnë shërbim edhe gjatë fundjavës.