
Deputetja demokrate Dhurata Çupi Tyli ka publikuar Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe duke ju referuar asaj, thotë se përjashtimi i një deputeti për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare, ndodh për disa arsye, asnjë prej të cilave nuk është kryer prej tyre.
"Masa disiplinore "përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 60 ditë" jepet në rastet:
a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit", citon deputetja demokrate, duke theksuar se asnjë prej kolegëve nuk ka ndërmarrë veprime të tilla.
Dhurata Çupi Tyli shkruan se "Dënimi pa ligj i deputetëve të opozitës është një akt i rëndë që minon demokracinë. Pengimi i tyre pa ligj në ushtrimin e misionit të tyre është krim, që nuk mund të mbetet pa ndëshkuar!"
Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë ka marrë vendimin për të përjashtuar nga 10 ditë deri në 60 ditë një grup deputetësh të Partisë Demokratike, për shkak të kaosit dhe zjarrit që i vunë karrigeve në seancën plenare të ditës së hënë.
Konkretisht, dënimi më i rëndë ka rënë në supet e deputetëve Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, për të cilët pas 3 orë mbledhje është vendosur që të përjashtohen për dy muaj nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Pra, 60 ditë për secilin.
Edi Paloka është demokrati i vetëm që ka shpëtuar me një dënim, të lehtë. Sekretariati i Etikës, me kërkesë të deputetëve socialistë ka vendosur që ai të përjashtohet për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Ndërkohë, 20 deputetët e tjerë të opozitës, do të qëndrojnë jashtë seancave plenare dhe komisioneve parlamentare për 40 ditë, ose rreth një muaj e gjysmë. Ishin në total 24 deputetë të cilët sipas mazhorancës u identifikuan për aktet e kaosit dhe zjarrit.