Paraditen e kësaj të mërkure kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni vizitoi nga afër dy qendrat në Shëngjin e Gjadër ku do të akomodohen emigrantët që do të shpëtohen në det, sipas marrëveshjes së firmosur nëntorin e vitit të kaluar mes dy qeverive, italianes dhe asaj shqiptare.
Gjatë kësaj vizite, e shoqëruar nga homologu i saj shqiptar, kryeministri Edi Rama, Meloni vendosi pikat mbi “i”, lidhur me akuzat që po i bëhen vendin tonë përgjatë kohëve të fundit.
Meloni tha se "balta" ndaj Shqipërisë nga televizionet e vendit të saj nuk ka lidhje me Ramën dhe popullin shqiptar, por bëhen nga pozicionet armiqësore në Itali.
Ndërkohë, nga ana tjetër kryeministri Edi Rama e quajti marrëveshjen me qeverinë italiane si një “marrëveshje zemre”, pa kërkuar asnjë euro në këmbim për të ndihmuar aleatin dhe mikun e madh të Shqipërisë, Italinë.
Ndërkohë, pas vizitës në Shëngjin e Gjadër dhe konferencës për shtyp dy homologët u ulën dhe biseduan privatisht lidhur me marrëveshjet mes dy vendeve. Gjatë këtij takimi kryeministri Rama i dhuroi Melonit edhe librin e tij “Kurbani”.