Avokati i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të GJKKO, e cila vendosi masën e “detyrimit për paraqitje” ndaj klientit të tij.
Në një intervistë për News24, Gjokutaj e konsideroi këtë vendim si një akt të padrejtë dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas tij, vendimi ishte i papritur, duke kujtuar se më parë Berisha kishte kaluar 11 muaj në arrest shtëpie, pas së cilës të gjitha masat ndaj tij ishin revokuar.
“Prokuroria kërkoi arrest shtëpie, por gjyqtari rëndoi më tej pozitën e tij duke caktuar një masë të re. Kjo është një masë e paarsyeshme dhe antikushtetuese,” theksoi avokati.
Sipas Gjokutajt, Berisha e ka pritur me qetësi vendimin dhe e ka cilësuar atë si një manovër politike për qëllime elektorale. “Me qetësinë e tij, zoti Berisha i quajti këto veprime ‘pilula elektorale’,” përfundoi avokati.