Mungesa e avokatëve mbrojtës së Plarent Ndrecës ka bërë që të shtyhet seanca paraprake për deputetin socialist. Seanca e radhës do të mbahet më 26 dhjetor në orën 13:00.
Në seancë pritet të vendoset nëse do të kalojë për gjykim çështja ndaj tij, apo jo. Ai po hetohet për një çështje për shpërdorim detyre, në kohën kur mbante postin si sekretar në Ministrinë e Brendshme, para se të zgjedhej deputet.
Bëhet fjalë për procedura prokurimi që datojnë në vitin 2019, mes tyre edhe rikonstruksione Komisariatesh, ku ka dyshime se kanë ndodhur akuzime me detyrën. Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qenë Titullari i Autoritetit Kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit.
Anëtarë të njësisë së prokurimit si Denisa Skënderaj, Lira Kolasi, dhe Blendi Kovi, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, Jonarda Qurku kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme për të devijuar procedurat ligjore të prokurimit. Gjithashtu, anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari, dhe Aida Shehi, kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore.
Një komision për marrjen në dorëzim të projektit, i përbërë nga Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, ndërkohë që projekti përfundimtar nuk ishte realizuar.
Nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë.