Hapësire reklamuese


Politikë

Deputetët u përjashtuan 60 ditë nga Kuvendi, reagon Grupi i PD: Provë se Edi Rama është frikacak, por përballë do na ketë!

Shkruar nga Newsbomb
Deputetët u përjashtuan 60 ditë nga Kuvendi, reagon Grupi i PD:
Ilustrim: Gazment Bardhi dhe Edi Rama

Politikani demokrat Gazment Bardhi, në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të PD, ka reaguar pas vendimit të Sekretariatit të Etikës në Kuvend për përjashtimin e tij dhe kolegëve të tjerë me deri 60 ditë. Shkak, janë bërë kaosi dhe djegia e karrigeve në seancën e së hënës.

Ai thotë se vendimi tregon sesa "i vogël dhe frikacak është Edi Rama", duke u zotuar se kryeministri do t'i ketë përballë demokratët.

"Këta të fusin në burg pa ligj e prova, jo më mos të të përjashtojnë nga Kuvendi pa ligj e prova. Përjashtimi i opozitës për muaj nga Kuvendi, provon sesa i vogël e frikacak është Edi Rama! Përballë do na kesh, brenda apo jashtë Kuvendit! Asaj salle krimi i ke vënë zjarrin!

Fshihu e shmangu sa të duash, përjashto, burgos e përndjek sa të duash, fatin tënd nuk e ndryshon dot! Atë ta ka përcaktuar shumica dërrmuese e shqiptarëve që përbuzin ngritjen e krimit të organizuar në qeverisje dhe shndërrimin e institucioneve në banda kundër opozitës", shkruan Gazment Bardhi.

Vetë kreu i Grupit Parlamentar të PD, bashkë me Flamur Nokën dhe Bledion Nallbatin janë përjashtuar me 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare.

Edi Paloka është demokrati i vetëm që ka shpëtuar me një dënim, të lehtë. Sekretariati i Etikës, me kërkesë të deputetëve socialistë ka vendosur që ai të përjashtohet për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Ndërkohë, 20 deputetët e tjerë të opozitës, do të qëndrojnë jashtë seancave plenare dhe komisioneve parlamentare për 40 ditë, ose rreth një muaj e gjysmë. Ishin në total 24 deputetë të cilët sipas mazhorancës u identifikuan për aktet e kaosit dhe zjarrit.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese