Hapësire reklamuese


Politikë

Deputetët që i dogjën mbesin në këmbë, Kuvendi tender 15 milionë lekë për karrige: Duhen për 7 ditë, të jenë me dru të stazhionuar

Shkruar nga Newsbomb
Deputetët që i dogjën mbesin në këmbë, Kuvendi
Karriget e djegura nga deputetet e opozites para Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë kërkon që karriget e djegura të sallës së seancave plenare të zëvendësohen me urgjencë sepse deputetët kanë mbetur në këmbë. Në sajtin e prokurimeve është njoftuar një tender me vlerë 13.7 milionë lekë të vjetra pa TVSH dhe më shumë se 15 milionë me TVSH, për blerjen e karrigeve të reja.

Siç shihet dhe nga dokumentet e tenderit (galeria në fund të artikullit), Kuvendi i Shqipërisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktor kërkon që produktet të jenë të reja dhe cilësore, për shkak se do të përdoren në sallën e seancave plenare.

Kompanitë e interesuara kanë afat deri më datë 4 Nentor 2024, që të paraqesin ofertat, por jo më shumë se fondi limit që është 13.7 milionë lekë të vjetra, si dhe të përmbushin kriteret që kërkon ligji për prokurimet publike.

Në total janë 30 karrige që Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga kompanitë e interesuara, që të përgatiten sipas specifikimeve përkatëse dhe të vihen në dispozicion të sallës së seancave plenare brenda shtatë ditëve nga nënshkrimi i kontratës.

- Materiali i kornizës, dru ahu i stazhonuar mbi 5 vite dhe te jete thare paraprakisht ne furre.

- Mbeshtetesja te jete material multistrat (panel druri )spesor 2 cm ose dru i fortë ahu, i veshur me  sfungjer kunder zjarrit me spesor 4 cm me lekure te zeze ekologjike, nga te dyja anet.Ne pjesen ballore  do te montohen pulla  rrethore druri me diameter 2 cm te veshur me te njejtin material.

- Ulesja te jete material multistrat (panel druri )spesor 2 cm ose dru i fortë ahu ne te cilen inkasohet veshja me po te njejtin material e perbere me sfungjer 5 cm kunder zjarrit dhe me lekure te zeze - ekologjike.

Këto janë disa nga specifikimet për karriget që u dogjën nga deputetët e opozitës, javë më parë kur përshkallëzuan aksionin opozitar, për shkak të heqjes së mandatit të kolegut Ervin Salianji. Ky i fundit u dënua me një vit burg për dosjen "Babale".

Menjëherë pas djegies së karrigeve në oborrin e Kuvendit, institucioni ngriti një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë janë ngarkuar me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar.

"Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë", njoftoi Kuvendi i Shqipërisë atë ditë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese