Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një amendament për buxhetin 2025 ku kërkohet mbulimi i shpenzimeve për gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit.
Firmosur nga 9 deputete të partisë, ky amendament propozon shtimin e një fondi prej 600 mln lekësh për të mbuluar shpenzimet e protezave të rikonstruksionit të gjirit, paruket për gratë e diagnostikuara dhe gjithashtu trajtimet mjekësore ndaj kancerit.
“Fondi prej 600 milion Lekë do te përdoret per rimbursimin e shpenzimeve për protezat e rikonstruksionit te gjirit dhe paruket për gratë e diagnostikuara dhe ne trajtimit mjeksore ndaj kancerit te gjirit. Ky fond detajohet dhe përdoret me vendim te Këshillit te Ministrave”, thuhet në amendament.
Një tjetër paragraf në amendament propozon blerjen e pajisjes PET Skaner së bashku me dy pajisje akseleratore, të cilat shërbejnë për diagnostikim dhe ndjekje më të saktë të kancerit të gjirit, ku gjithashtu të përfshihet dhe fondi për mirëmbajtjen e tyre në mënyrë që këto pajisje të jenë në funskionim pa ndërprerje.
“Çelet një fond i posaçëm për blerjen e një pajisje PET Skaner dhe dy pajisje akseleratore ne Qendrën Spitalore Universitare Nene Tereza, Tirane. Fondi i posaçëm parashikon te përfshijë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen ne për qellim funksionimin e pandërprerë të pajisjeve. Ky fond detajohet dhe përdoret me vendim te Këshillit te Ministrave.”
Deputetet që kanë firmosur amendamentin:
1- Zheni Gjergji
2- Dhurata Çupi
3- Jorida Tabaku
4- Ilda Dhori
5- Lindita Metaliaj
6- Ina Zhupa
7- Elda Hoti
8- Emilja Koliçi
9- Greta Bardeli