Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka denoncuar një rast dhune në një shkollë të kryeqytetit, ku një nxënës është plagosur me thikë brenda ambienteve të shkollës. Sipas saj, viktima është djali i një anëtareje të PD-së në degën 4 në Tiranë.
Gjatë një deklarate për News24, Vokshi tha se prindërit e nxënësit kanë denoncuar ngjarjen, por janë përballur me neglizhencë nga oficerja e sigurisë së shkollës, e cila sipas saj, e ka injoruar rastin me arsyetimin: “Ju jeni të PD-së.”
Vokshi theksoi se kjo situatë tregon për mungesën e sigurisë në shkolla dhe përmendi vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” si një ngjarje tragjike të paralajmëruar.
“Një adoleshent, djali i një anëtareje të PD-së, është plagosur me thikë në një shkollë publike në Tiranë disa muaj më parë. Në vend që të merreshin masa, oficerja e sigurisë i ka dërguar prindit një mesazh në Facebook duke i thënë: ‘Ju jeni të PD-së’. Drejtoresha e shkollës, e cila më parë ka qenë drejtuese në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ dhe është transferuar pas denoncimeve të PD-së, gjithashtu nuk ka reaguar. Prindërit e kanë transferuar djalin në një shkollë tjetër për shkak të mungesës së sigurisë,” tha Vokshi.