
Kandidati për deputet i “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” në qytetin e Kavajës, Rudin Hylviu, ka njoftuar tërheqjen e tij nga kandidatura për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Me një postim në rrjete sociale, Hylviu u është drejtuar gjithë mbështetësve të tij, që të votojnë për një tjetër kandidate për deputete, Loranca Hoxhën, ndërsa thekson se janë të bashkuar dhe se ajo do të jetë zëri i mijëra shqiptarëve në parlament.
Gjithashtu, ai shpreh se emri i tij do të qëndrojë në fletën e votimit por thekson përsëri se të gjitha votat duhet të shkojnë drejt emrit të Loranca Hoxhës.
Postimi i tij:
Të dashur miq,
Nëpërmjet këtij statusi dua të bëj publik një vendim mjaft të rëndësishëm.
Dua të njoftoj publikisht vazhdimin e fushatës sime në mbështetjen e plotë dhe publike ndaj kandidates Loranca Hoxha.
Ky vendim nuk ishte i lehtë, por rrjedh nga nevoja që të gjithë të jemi të bashkuar drejt një misioni më të madh dhe ai është përfaqësimi i Kavajës me një mandat në parlamentin e ardhshëm. Sistemi ynë elektoral është i ndërtuar në mënyrë të tillë, që matematikisht Loranca, si kandidate femër, është e vetmja që ka shancet të zgjidhet deputete.
Këtë vetësakrificë politike, po e bëj për t’i dhënë Kavajës përfaqësimin dhe zërin e saj në foltoren e parlamentit, gjë e cila i ka munguar që nga viti 2005.
Me këtë veprim shpreh bindjen e thellë se Loranca Hoxha do të jetë zëri i mijëra qytetarëve Kavajës dhe se do të mbrojë me forcë interesin e qytetit tonë. Me qëllim maksimalizimin e votës, emri im do të qëndrojë në fletën e votimit, por të gjitha votat duhet të shkojnë drejt emrit të Loranca Hoxhës.
Duke ju falenderuar të gjithëve për mbështetjen, bashkë do të vijojmë betejën tonë për Kavajën dhe fitoren madhështore të 11 majit.