
Dy partitë e mëdha politike në vendin tonë rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit e kanë zhvendosur te diaspora. Si socialistët, po ashtu dhe demokratët, prej ditësh tanimë janë duke zhvilluar takime me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Këtë të diel Partia Demokratike ka zhvilluar takime me shqiptarët e Italisë. Ka qenë sekretari i Partisë Demokratike, Flamur Noka si dhe deputetët , Dashnor Sula dhe Tomor Alizoti ata të cilët kanë takuar shqiptarët në Brescia të Italisë.
Ndërkohë, Jozefina Topalli ka takuar emigrantët në zonën e Pistoias, kurse deputetja Elda Hoti në atë të La Spezia.
Burime për mediat bëjnë me dije se përgjatë këtyre takimeve demokratët i janë drejtuar emgirantëve duke ia bërë të qartë rëndësinë e votës së tyre në zgjedhjet parlamentare.
Tomor Alizoti është shprehur se vota e tyre mund ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin Edi Rama, prandaj ata duhet të vazhdojnë masivisht të regjistrohen me qëllim për të pasur të drejtën e votës më 11 maj.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan votën e diasporës si një faktor historik, duke e vlerësuar atë si vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë.