Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka përfunduar mbledhjen dhe ka vendosur që t’i rikthehen seancave plenare.
Në përfundim të kësaj mbledhje kreu i këtij Grupi Parlamentar, Gazment Bardhi tha se aksioni opozitar do të vijojë, mirëpo demokratëve i duhet të përballen në Kuvend me mazhorancën për të diskutuar dhe debatuar për projekt buxhetin e vitit 2025.
“Më shumë vidhen sesa investohen pa patur në vëmendje pensionistët, fermerët dhe bizneset. Grupi parlamentar do jetë i angazhuar në një përballje intensive me mazhoracën gjatë gjithë procesit të diskutimit të pr buxhetit 2025”, u shpreh Bardhi për gazetarët, duke theksuar edhe një herë që aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve të tyre.
“Vitin e kaluar sic ju jeni dëshmitarë ne kishim shpallur vendimmarrje që nuk do ketë normalitet pa u plotësuar kushtet që ne kishim shpallur. Në rastin konkret aksioni i opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojë. Por shtuar kësaj deputetët do të përmbushin përgjegjësitë e tyre si përfaqësues të qytetarëve.
Prandaj dhe qëndrimi publik ne në raport me Kuvendin do të vendosim rast pas rasti. Kush ka menduar që opozita do të lërë terren Edi Ramës që të kalojë buxhetin e oligarkëve dhe jo të qytetarëve e ka gabim. Ne do jemi aty për të mbrojtur qytetarët”, tha më tej Gazment Bardhi.