
Më votë demokratë e socialistë do të vendosin në seancën e ardhshme plenare mbi fatin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se deputetët socialistë do të shfrytëzojnë opinionin e fundit më 10 dhjetor 2024, të Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Sinajt.
Në këtë opinion “Venecia”, ndër të tjera thotë se deputetëve nuk mund t’u diktohet mënyra se si duhet të veprojnë. Ky qëndrim pritet që të zbatohet nga mazhoranca socialiste për të vendosur të lirë nëse mandati i Sinajt do të shkojë apo jo në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë kujtojmë se në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të hënën pasdite, u tha se nuk ka një vendim politik për këtë rast dhe se të gjithë deputetët janë të lirë të votojnë ashtu sikurse ata dëshirojnë.
Sa i përket votës së demokratëve ajo dihet. Të gjithë pritet të votojnë pro dërgimit të mandatit të Sinajt në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se prej muajsh opozita ka kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullent Sinaj, pasi siç pretendon ajo, nga rrjeti i supermarketeve "Big Market" që ai administron, janë kryer disa blerje nga institucione shtetërore në vlerën e 3.5 milionë lekëve të vjetra.
Vullnet Sinaj është shprehur se prej vitit 2017 ka statusin e aksionerit pasiv dhe faturat për të cilat pretendohet, janë kryer gjatë viteve të mandatit të mëparshëm, ndaj nuk mund t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese verifikim për një mandat që ka përfunduar.