
Kryeministri Edi Rama përmes një video të publikuar në rrjetet sociale u ka kthyer përgjigje demokratëve të cilët prej ditësh kanë kritikuar replikat që ai ka zhvilluar me kreun e demokratëve euroatlantikë, Lulzim Bashën.
Ai ka marrë një për një të gjitha komentet e bëra në rrjetet sociale, ku disa prej tyre janë shprehur se kjo formë që Rama po zhvillon fushatën është me qëllimin për të mbuluar faktin se nuk ka një program elektoral.
Rama siguron demokratët që programi elektoral i forcës politike që ai drejton është i përpiluar hollësisht kategori për kategori dhe është programi i cili do të anëtarësojë Shqipërinë në familjen e madhe europiane.
"Ore çar bëhet këtu më thotë stafi im që ndjek rrjetet sociale janë fyer shumë militantët e kënetës nga tiki-taka ime Lul euroatlantikun. Thokan u vika turp se nuk bën udhëheqësi kështu. Por kur dëgjoni bufin që merr rrugët me libër shtëpie për të tjerët ju vjen ndopak turp, apo hiç. Hiç se këneta kështu e ka. Ca të tjerë shkruakan se s’paskemi program e prandaj unë po përdor Lulin që të largoj vëmendjen. E thotë Bufi këtë.
E kemi programin jo eletkorali ata që nuk kanë asgjë në dorë. Fushe për fushë, kategori për kategori sociale. Kur të vijë dita e planifikuar do ndajmë edhe me ju demokratët piketat kryesore duroni dhe pak ditë. Po mendoni vetëm kaq që kur BE thotë hajdeni punojmë ditë natë se do t’ju marrim në familje dhe ti mbyllim negociatat deri në fund të 2027. Na i thotë për sytë e bukur se program skemi apo për atletet e mija se ata janë zbathur në Bruksel”, thotë Rama, teksa në vijim shton se edhe replikat me Lulzim Bashën janë pjesë e punës së tij deri në zgjedhjet e 11 Majit.
Në vijim të fjalës së tij, kryeministri u drejtohet demokratëve duke u thënë me bindje të plotë se nën drejtimin e ish-kryeminsitrit Sali Berisha ata as nuk do t’i përafrohen rezultatit të zgjedhjeve të 2021, kohë kur kjo forcë politike udhëhiqej nga Lulzim Basha.
“Disa thonë tallu tallu se s’ke punë tjetër. Unë skam punë tjetër që zgjohem para jush dhe fle pas jush se kështu ma do detyra, se në këtë punë veç punë plot të tjera kam. Po edhe Lulin punë pune e kam unë deri në 11 maj se pastaj ka gjumin e verës ai. Prandaj mos qani hallin e shtetit, e programit për ato 5 minuta që unë harxhoj me Lulin, por qani hallin tuaj dhe shikoni se çfarë i duhet Shqipërisë. Ju me Lulin harxhuat 8 vjet, e mbajtët kryetar. Pastaj u kthyet ne Bufi se do t’ju sillte në pushtet. E Mbani mend si ju tha për 1 muaj do tju sjell në pushtet se e ka fajin Luli. Po tani Luli e ka fajin? Kurrë s’keni për të marrë me bufin rezultati ne 2021 me Lulin, rri shtrembër dhe të flasim drejtë, harrojeni”, thotë Rama.