
Gjatë ditës së sotme është zhvilluar mbledhja mes përfaqësuesëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe asaj të Partisë Socialiste “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatitimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”.
Në këtë mbledhje, si rrallë herë më parë, dy forcat politike kanë rënë dakort që vlefshmëria e mandatit të deputetit socialist, Vullnet Sinaj, të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas rregullores, në Kuvend fillimisht duhet të mbërrijnë dy raporte, nga PD dhe PS, për mandatin e Sinajt, dhe më pas do të kalojë për votim nga parlamenti.
“Të gjitha transaksionet kanë ndodhur pasi ka marrë mandatin. Kompanitë e tij kanë përfituar para nga buxheti shtetit. Në seancën e parë të ditës së hënë të votohen në parlament e më pas çuarjen në Gjykatë Kushtetuese për papajtueshmëri të mandatit”, ka deklaruar Gazment Bardhi.
Ndërkohë deputetja Klotilda Bushka deklaron se bie në dakortësi me Bardhin për që votimi të kryhet në seancën e parë të Kuvendit, jo në atë inaguruese të së hënës.
Kujtojmë që më herët Bardhi është përplasur verbalisht me Vullnet Sinaj teksa e akuzon këtë të fundit për përfitime personale të bizneseve të tij nga buxheti i shtetit.
Sipas asaj që Vullnet Sinaj deklaron, thuhet se blerjet që opozita përmend, janë kryer gjatë mandatit të mëparshëm dhe se nuk mund t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese verifikim për një mandat tashmë të përfunduar.