
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka reaguar menjëherë pas komenteve të bëra mesditën e kësaj të hëne nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
Përpos çështjes së Erion Veliajt, 21 Janarit, zbërthimit të aplikacioneve Sky Ecc dhe EncroChat, Ilir Metës, hetimeve për Olsi Ramën, kreu i SPAK është ndalur dhe te dosja e quajtur “Toyota Yaris”.
Dumani tha se hetimet për dosjen në fjalë janë duke vijuar dhe se duhet të gjejnë prova konkretë të cilat vërtetojnë akuzat e bëra.
“Kur provojmë që dikush ka përdorur Sky Ecc për ne është shumë e thjeshtë, por kur flitet për palë të treta ne bëjmë një punë shumë të madhe pasi na duhet që të gjejmë prova për ato që thuhen.”, tha Dumani ndër të tjera.
Ndërkohë, Malltezi e akuzon Dumanin se prej dy vitesh është duke fshehur provat e duke u bërë “shërbëtori i Edi Ramës dhe Taulant Ballës”.
“2 vjet fsheh provat si sherbetor i Tualetit dhe Rames! 3 kallzime penale kemi bere per Ramen, Ballen e prokuroret e vendos mosfillim hetimesh. Pse ke frike? Nese nuk eshte kallzim i vertete eja se mbaj une pergjegjesi. Eja provoje qe nuk je i kapur”, shkruan Malltezi.
