
Debate të ashpra u regjistruan mbledhjen e kaluar në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Protagonist ishin deputetja demokrate, Albana Vokshi si dhe deputetët socialistë, Plarent Ndreca dhe Erjon Braçe.
Ishte Braçe ai i cili i bezdisur nga toni i lartë i zërit të Vokshit iu drejtua asaj duke i thënë: “Ec or dreq andej, boll bërtite, ule zërin. Kam zyrën këtu matanë dhe po të dëgjoj ty, kam mbledhje.”
E pikërisht me këto debate është nisur dhe kjo mbledhje e radhës këtë të premte në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit që të marrë masa ndaj deputetëve, Erjon Braçes dhe Plarent Ndrecës.
Ajo ndër të tjera i kërkon Spiropalit zëvendësimin e Plarent Ndrecës i cili mban postin e zv/kryetarit dhe prezencën e 5 deputetëve demokratë të përjashtuar.
Gjithashtu demokratja nuk rreshti me akuzat duke thënë se socialistët po përpiqen të mbyllin komisionin me qëllim që të fshehin abuzimet me koncesionet e shëndetësisë.
"I kemi dërguar Spiropalit shkresë, pasi kemi deleguar shkeljet e panumërta të deputetëve të këtij komisioni i kemi kërkuar zëvendësimin e nënkryetarit dhe të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë. Komisioni hetimor funksionon me ligj të veçantë.
Kërkojmë që 5 deputetët e përjashtuar me firmë të Bushkës të jenë këtu prezent deri në fund të komisionit. Të nis procedruat për masat disiplinore, Plarent Ndreca Ilir Metaj, Erion Braçes dhe sekretarit të përgjithshëm", tha Vokshi ndër të tjera.
Pjesë nga fjala e Albana Vokshit:
Pavarësisht se mbledhjet duhet të kenë afat 48 orë për t’u përgatitur, sikurse e shikoni opozita i është përgjigjur kërkesës urgjente për të vijuar punën e komisionit.
Unë dua të them që është gabim i madh të mendosh se mund të bësh marrëveshje me këta që janë këtu. Ashtu si drejtuesi i tyre, Edi Rama, nuk dinë çfarë është fjala, nuk kanë besë, nuk njohin Kushtetutë. Çdo mbledhje ka qenë në shkelje të ligjit që e kanë ndryshuar vetë, ka qenë në shkelje të Kushtetutës, ka qenë në shkelje të pikave të rregullores. Nuk ka asnjë mbledhje tjetër sot. Por kanë vendosur ta heqin kompetencën dhe kanë caktuar këtë sallë, ku nuk menaxhohet dot mbledhja, ndërkohë që salla tjetër ku kemi bërë mbledhje është bosh.
Nuk ekziston rregullore. Kanë kaluar kompetencat, bashkë me sekretariatin e Kuvendit. I kanë të gjitha, kanë qeverinë, qeverisjen qendrore, kanë parlamentin, kanë krijuar komisione antikorrupsion, ministri antikorrupison. Nuk u mjafton. E kanë rrëmbyer edhe këtë komision. Kanë rrëmbyer agjendën, kanë rrëmbyer dëshmitarët. Shikoni, s’ka deputetë të opozitës, sepse i kanë përjashtuar me firmën e vetë. A mund të ketë vijueshmëri normale të një komisioni hetimor, në mungesë të deputetëve që e kanë kërkuar këtë komision.
Si mendoni se deputetët e mazhorancën do hetojnë vetë korrupsionin e Edi Ramën. Të vetmin komision që ka opozita, e keni rrëmbyer. Ku po shkoni mo. Mirë që shkruajta sot mos e filloni mbledhjen, se ishit të gatshëm për të filluar. Ku ka komision që është rrëmbyer në këtë komision. Është rrëmbyer nga personi që janë subjekt i SPAK. Dhe të gjithë silleni njëlloj, si një masë amorfe, a keni një fije deputeti, nuk do të jeni më deputetë, se do të jenë ata të TikTok-ut të Edi Ramës. Juve vetë s’mund ta pranoni këtë. Si mund të rrëmbeni agjendën e komisionit me forcë, me dhunë. E keni rrëmbyer se nuk doni të bëni transparencë.