
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi ka dorëzuar dorëheqjen. Ai ka vendosur të largohet nga kjo detyrë që e mbante prej më shumë se dy vite e gjysmë, për të marrë një post të ri në nivele më të lartë në kabinetin qeveritar.
Siç mëson newsbomb.al, Ceno Klosi do të marrë postin e zëvendës ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, dikaster që drejtohet nga politikania socialiste Belinda Balluku.
Ceno Klosi u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në tetor 2021, duke zëvendësuar Delina Ibrahimaj, e cila u bë ministre. Ai ka mbajtur me herët dhe postin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.
Fakt është se dorëheqja e Ceno Klosit si kreu i Tatimeve ka ndodhur, ndërsa emërimi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk është bërë ende, raporton newsbomb.al. Zyrtarizimi i tij mund të bëhet në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Ministrave, datë 5 Qershor.
Aktualisht, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë në detyrë tre zëvendës ministra; Ami Kozeli, Hantin Bonati dhe Enkelejda Muçaj. Ceno Klosi pritet të jetë zëvendës ministri i katërt në këtë dikaster, duke plotësuar numrin e zëvendësave që kanë shumica e ministrive.
Ceno Klosi ka kryer studimet e larta dhe është diplomuar në vitin 2002, në degën Financë-Kontabilitet, pranë Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës. Ka eksperiencë të gjatë në sistemin bankar ku për më shumë se 13 vite ka mbajtur pozicione të ndryshme si Drejtor në Departamentin e Analizës së Kredisë, Drejtor në Departamentin e Riskut të Kredisë, Drejtor në Departamentin e Financimit të Strukturuar.
Gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe në qershor të po të të njëjtit vit u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës-Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM).
Prej 22 Tetorit 2021 e deri më sot, ai drejtoi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave.
© Newsbomb.al