
Deputeti demokrat Bujar Leskaj ka pyetur drejtpërdrejt kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, nëse është i gatshëm të deklarohet për të vendosur emrin e tij në pjesën e dytë të listës për deputet.
Nisur nga diskutimet për ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor që pritet të miratohen sot në seancën e fundit plenare, 1/3 e listës së kandidatëve do të jetë e mbyllur dhe pjesa tjetër e hapur. Pra, pjesa e parë do të jetë e sigurt sepse mandati është i garantuar, ndërsa pesa e dytë e listës duhet të garojë për të siguruar votat e popullit.
Në këto kushte, edhe deputeti demokrat Bujar Leskaj ju është drejtuar publikisht drejtuesve të partive shqiptare, veçanërisht atij të Partisë Demokratike siç e tha dhe vetë, duke e sfiduar të deklarohet nëse do e vendosë veten në pjesën e dytë dhe të pasigurt të listës.
"Në mendimin tim, pavarësisht respektit personal që kam, nuk ka elita të mirëfillta në partitë tona, nuk ka profesorë, nuk ka personalitete të larta shkencore. Partitë tona kanë aparatçik. Megjithatë, këtyre elitave që unë ju uroj sukses, doja t'ju bëja një pyetje:
Ju drejtuesit e elitave, udhëheqësit e partisë, e partive në rastin konkret, po e kam me Partinë Demokratike të jem i sinqertë, a do deklaroheni që do kandidoni në pjesën e dytë të listës?!
Edhe këtu po perifrazoj Shekspirin: Ky Kod Zgjedhor dhe vendosja juaj në lista, është gracka ku shpirti juaj do kapet si laraska", u shpreh deputeti demokrat. Bujar Leskaj vlerësoi disa nga ndryshimet e propozuara, por mbajti qëndrim kritik me elementët thelbësorë të propozuar për votim sot.