
Seanca e sotme plenare përfundoi më shpejt nga sa ishte parashikuar, pasi një përplasje mes Flamur Nokës dhe Taulant Ballës tensionoi sallën. Ndërhyrja e gardistëve parandaloi një konflikt fizik mes tyre, megjithëse nuk munguan hedhjet e shisheve të ujit.
Përjashtimi i Nokës nga seanca nga ana e Elisa Spiropalit shkaktoi reagimin e demokratëve, të cilët bllokuan foltoren. Situata u përshkallëzua kur deputeti Petrit Doda shkuli mikrofonin dhe e hodhi në drejtim të Taulant Ballës, duke detyruar ndërprerjen e seancës, e cila do të vijojë të hënën.
Pavarësisht tensioneve brenda sallës, jashtë ambienteve të Kuvendit atmosfera ishte krejt ndryshe. Deputetët e të dyja palëve u panë duke buzëqeshur teksa dilnin nga parlamenti. Një episod i veçantë u kap nga aparati fotografik, ku kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, u afrua pranë makinës së Sali Berishës dhe zhvilloi një bisedë me të, ndërsa pranë tij ndodhej edhe Flamur Noka.
Pas largimit të Peleshit, pranë makinës së Berishës u afrua edhe Damian Gjiknuri, i cili, së bashku me Ulsi Manjën, shkëmbeu batuta me liderin demokrat.