Pensionistët janë mbedhur sërish këtë të mërkurë para kryeministrisë për të protestuar për rritjen e pensioneve të tyre.
Ata ankohen se me pensionet aktuale nuk përmbushin dot as kushtet minimale të jetësës dhe kërkojnë rritje sa për të pasur një jetë të denjë. Pensionistët thonë se paratë që marrim nuk mbulojnë as shpenzimet mjekësore për ilaçe e as për blerjen e ushqimeve bazë.
Ndërsa për pjesën e bonusit të caktuar nga qeveria për fundvit ata thanë se është një “mashtrim i madh”.
“Mua më ka dalë pensioni 171 mije lekë të vjetra. Janë të pamjaftueshme për çmimet që kanë shkuar në stratosferë. Por kryeministri e ka llogaritur për shportë, si ato shportat e derrave. Ne nuk jemi derra. Na thotë po s’u derdhën kontributet, nuk merrni lekë. Vetë e ka rrogën 3 milionë lekë. Vetë i pari vjedh kontributin me ligj.
Bonusi është një mashtrim i madh, turp e djallëzi e këtij kryeministri. Bonusi përbëhet nga ai 36 milionë nga buxheti i vitit të kaluar dhe pjesë tjetër nga indeksimi. Gënjen delet e partisë, jo të tjerët”, tha një pensionist për News24.
Një tjetër pensionist ka akuzuar mazhorancën se ka bërë ligje për të vjedhur popullin e thjeshtë.
“Nuk marrin pensione sipas punës dhe ligjit, por me sistem. Këtu nuk ka drejtësi e as shtet ligjor. Marr 92 mijë lekë pension. Ky shtet ka bërë ligjin për të vjedhur popullin e thjeshtë dhe e ka realizuar me sukses sepse janë bërë dy nene kundër nenit 79, që është detyrimi ligjor për të paguar sigurimet. Ministria përgjegjëse ka shpërdoruar detyrën dhe ka bërë skema mashtruese duke u thënë qytetarëve do paguani ju, e bazuar në nenet 9 dhe 13.
Në vend të ligjeve, është futur sistemi kompjuterik ‘Made in Edi Rama’ dhe i pinë gjakun këtij populli, i mohojnë punën. Nuk marrin pensione sipas punës dhe ligjit, por me sistem. Këtu nuk ka drejtësi e as shtet ligjor”, tha ai.