Kristian Shkreli, kryebashkiaku i zgjedhur nga Partia Socialiste në krye të bashkisë së Vaut të Dejës, ka reaguar pas lajmeve se SPAK i ka sekuestruar celularin në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe krime zgjedhore.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me çdo instancë shtetërore”, është shprehur Shkreli, raporton News 24, ndërsa raporton se ai është nën hetim për “Korrupsion zgjedhor”.
Zërat se situata nuk ishte fort e qetë në Vaun e Dejës kishin shkuar dhe në veshin e kryeministrit, ndaj dhe Edi Rama si rrallëherë, u detyrua ta paralajmëronte publikisht Kristian Shkrelin që të mos luante me dy porta:
"Kristian mos më luaj me dy porta, Kristian! Mos më luaj me dy porta!"
Që kryebashkiaku socialist nuk e dëgjoi apelin e kryetarit, kjo është pak po e sigurt, por nëse ai u përfshi në fushatë për Tom Doshin dhe ka përdorur pushtetin lokal për të mbushur "thesin" e PSD-së, këtë do ta provojë Prokuroria e Posaçme.
Siç raportohet, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar në Vaun e Dejës dhe i kanë sekuestruar celularin Kristian Shkrelit, shoqëruesit të Tom Doshit, si dhe disa zyrtarëve të Partisë SocialDemokrate.
Kristian Shkreli është zgjedhur kryebashkiak i Vaut të Dejës në zgjedhjet e 14 Majit 2023, nën siglën e Partisë Socialiste, por mesa duket situata ka ndryshuar edhe në bazë menjëherë pas krisjes së marrëdhënies mes aleatëve Rama-Doshi.