Ish-kryeministri, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e nesërme të opozitës para Bashkisë Tiranë si dhe në atë që do të zhvillohet të enjten para parlamentit.
Në një fjalim të mbajtur para protestuesve të pranishëm, të cilët mbildhen çdo mbrëmje poshtë ballkonit të shtëpisë së tij, Berisha tha se tubimi i sotëm kishte vetëm një fjalë “protestë” për të luftuar vendin e mposhtur nga mafia e drogës.
“Miqtë e mi, sot fjalimi im para jush ka vetëm një fjalë: protestë, protestë, protestë dhe vetëm protestë. Sot në emër tuaj u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të ngrihen, të lënë çdo gjë, të dalin në protestë nesër në ora 11 para bashkisë, të enjten në ora 10 para parlamentit.
Miqtë e mi, sot thirrja e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo atdhetari, e çdo qytetari që e do këtë vend, vend të denjë dhe jo të mposhtur nga mafia e drogës, jo të sunduar nga mafia e drogës, është një dhe vetëm një, të bashkohemi në protestë, në protestë dhe vetëm në protestë”,- u shpreh Berisha.
Gjithashtu, Berisha dha një mesazh edhe për shqiptarët që shohin me indiferencë zhvillimet në vend, teksa i’u drejtua që të mos qëndrojnë në heshtje përballë narkoshtetit dhe narkodiktaturës por i fton që të përballen “dhëmb për dhëmb” me mafian kriminale.
“U bëj thirrje qytetareve dhe qytetarëve që për një arsye apo për një tjetër shohin me indiferencë, qëndrojnë indiferentë ndaj narkoshtetit dhe narkodiktaturës në Shqipëri, ngrihuni sepse kjo mafie mizore, më e pashpirta e të gjitha llojeve, nuk kërkon asgjë tjetër nga ju përveç indiferencës që i dhuroni.
Dilni nga indiferenca juaj, bashkohuni me ne nesër në ora 11 te bashkia, të enjten në ora 10 para parlamentit. Të përballemi dhëmb për dhëmb me mafien kriminale”,- përfundoi ish-kryeministri, Sali Berisha.