Ish-kryeministri Sali Berisha, siç është bërë rutinë ka mbajtur një tjetër fjalim para mbështetësve të tij nga dritarja i banesës ku ndodhet prej muajsh në arrest shtëpie.
Ai u shpreh se luftën ndaj korrupsionit e kishte betejën e jetës dhe se gjatë qeverisjes së tij korrupsionit iu dha goditja më fatale.
“Lexoni pak raportin e Transparency International të vitit 2008. Çfarë thotë ky raport? Ky raport thotë: Shqipëria u rendit në garën botërore të luftës kundër korrupsionit.
Ky raport thotë se Shqipëria u rendit në dhjetë vendet e para në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit.
Ky raport thotë se Shqipëria në turravrap la mbrapa nga pozicioni i saj 43 vende dhe në rang botëror 85 vende për treguesin e korrupsionit.
Beteja kundër korrupsionit ishte beteja e jetës së Sali Berishës dhe qeverisë së tij.
Me këtë betejë, ne arritëm të dyfishojmë të ardhurat. Të dyfishojmë rrogat. Të dyfishojmë pensionet.
Në këtë betejë, ne arritëm të ndajmë epokat. Shqipëria kaloi në vitin 2008 nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në të cilin kishte lënguar dekada dhe shekuj, e nxorëm në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Në këtë betejë brenda dy viteve, 2008-2009, u ndëshkuan 630 zyrtarë për veprën e korrupsionit.
Gërshëra e ligjit ishte e pamëshirë”, tha Berisha.