
Kryedemokrati Sali Berisha, në vazhdim të fushatës politike për zgjedhjet e 11 Majit, sot ka zhvilluar takim me qytetarët në Berat.
Berisha në fjalën e tij, ironizoi premtimin e kryeministrit Edi Rama, për një ishull në lumin Osum duke e akuzuar se nuk ka kryer asnje investim.
Kreu i PD, premtoi se ai do t’i kthejë paratë tek qytetarët dhe do të realizojë ndryshime të mëdha në sektorin e arsimit, duke premtuar rroga më të larta për mësuesit dhe ulje të tarifave për universitetet.
“Berati, diamant në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore, këto 12 vite njohu një varfërim të banorëve të saj, një varfërim shumë të pamerituar, ky qytet, ky rreth. Mendoni për një moment, të duket se është qyteti i kohës së ndaluar. Qyteti nuk njohu, jo që nuk njohu investime, por edhe universiteti u mbyll. Universiteti, i cili i jepte qytetit gjallëri, shpresë dhe besim. Berati, të cilit iu premtua ishulli i Osumit, premtimin e ishullit e mori lumi. Kurse, Edi Ramës i ngelet turpi dhe mashtrimi”, tha Berisha.
Kryetari i selisë blu tha se në zgjedhjet e 11 Majit ndahen epokat.
“Pra, po shkojmë drejt një vendimi të madh, që çdo qytetare dhe qytetar i Beratit, i këtij qarku dhe tërë Shqipërisë do marrë më 11 maj për t’u ndarë me një të keqe e cila dëmtoi kombin, zbrazi Shqipërinë, pakësoi shqiptarët sa asnjë luftë, sa asnjë epidemi, sa asnjë fatkeqësi në tërë historinë e tyre”, - tha Berisha.