
Në një takim me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, kryedemokrati i PD Sali Berisha premtoi se me ardhjen e tij në pushtet do hapë Fakultetin e dytë të Mjekësisë. Po ashtu, ai ka premtuar se do të dyfishojnë rrogat për mjekët dhe infermierët.
Berisha i keqardhur u shpreh se në vitet e fundit, çdo vit po ikin 1 mijë mjekë dhe infermierë, ndërsa shprehet i vendosur për ta ndryshuar këtë gjendje.
“Tani, kjo pak a shumë disa të dhëna, por ne jemi të vendosur ta transformojmë këtë gjendje. Së pari, ne do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë, do dyfishojmë buxhetin për arsimin.
Kështu që ne zotohemi të dyfishojmë rrogat për mjekët dhe infermierët. Do vendosim një rrogë minimale 1500 euro për mësuesit me qëllimin që ata të ndjehen në funksion të misionit të madh që kanë.
Do të hapim detyrimisht një fakultet tjetër mjekësie. Nuk përballohen. Kanë ikur në vit 1 mijë, imagjinoni ju kur të dalin në pension këta të këtij viti. Ne shkojmë drejt një shterrimi të frikshëm të personelit mjekësor.
Ndaj dhe ne me përparësi absolute do të hapim një fakultet të dytë mjekësor dhe do përpiqemi të rrisim shumë pranimet në këto dy universitete në mënyrë që t’i japim përgjigje këtij vakuumi me pasoja shumë të rënda për shëndetin e shoqërisë.”