
Lideri demokrat Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, ka premtuar rishikimin e të gjitha faturave energjitike dhe ato të ujit. Gjithashtu, Berisha tha se së shpejti do të jetë gati dhe skema e cila do të prezantojë çmimin proporcional për energjinë dhe ujin për pensionistët dhe shtresat në nevojë.
Gjatë fjalës së tij ai nuk la pa përmenduar faktin sesi çmimi për kilovat i energjisë dhe ujit ka lëvizur ndër vite duke pësuar rritje të ndjeshme.
Duke e cilësuar varfërinë “armikun numër 1 të shqiptarëve”, Sali Berisha tha se së shpejti do të prezantohet paketa e tretë që do t’iu vijë në ndihmë pensionistëvedhe shtesave në nevojë për uljen e çmimit të konsumatorit.
Sali Berisha: Së shpejti skema për çmimin proporcional të energjisë dhe ujit për pensionistët dhe shtresat në nevojë. Nuk janë këto të vetme. Kam kërkuar nga ekspertët dhe do përgatisin pagesën, çmimin proporcional të energjisë dhe ujit që këta do paguajnë.
Mos harroni një gjë ju, Edi Rama në vitin 2014 rriti çmimin e energjisë me 20 përqind, e çoi nga 70 në 95 kilovatin për të gjithë. Dhe vetëm në Tiranë, Erion Veliaj ka rritur çmimin e ujit me 40 përqind, pa pyetur ku i marrin këta, nga se paguajnë këta.
Edhe kjo do marrë fund, por kjo është paketa e tretë, të cilën unë do e paraqes sapo specialistët të kenë bërë të gjitha përllogaritjet ndaj kësaj shtrese.
Ne konsiderojmë varfërinë armikun absolut numër 1 të shqiptarëve dhe ne do përballemi me të në mënyrën më të vendosur.