
Edhe pse në “arrest shtëpie”, ish-kryeministri Sali Berisha e ka gjetur mënyrën për të komunikuar me mbështetësit e tij.
Berisha, në fjalimin nga ballkoni i banesës deklaroi se vetëm protesta dhe mosbindja civile është rruga për realizimin e qëllimeve tona.
“Çdo opozitar pret me padurim fitoren ndaj një regjimi të pamëshirë, antishqiptar që po e zhbën Shqipërinë nga shqiptarët.
Po shpopullon këtë vend sa asnjë pushtim tjetër në histori.
Por sot çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë si drita e diellit se vetëm protesta e vazhdueshme, vetëm protesta e pamposhtur, vetëm mosbindja civile e vazhdueshme dhe e pamposhtur është rruga për realizimin e qëllimeve tona madhore.
Është rruga për përmbysjen e narkoqeverisë.
Është rruga për krijimin e qeverisë teknike.
Për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fitoren e padiskutueshme të opozitës”, tha ai.