Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht drejtuesi politik për qarkun e Tiranës, Pandeli Majko ka reaguar përsëri për akuzat që lideri i PD, Sali Berisha hodhi në drejtim të tij ku thonte se Majko është përgjuar nga SHISH, teksa në bisedë tavoline bënte pazare me eksponentë të krimit për shitblerje votash në qarkun e Kukësit.
Pandeli Majko ka mohur tërësisht këto akuza ndërsa gjatë reagimit të bërë ditën e sotme teksa njfoton për takimin e zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka deklaruar se është i gatshëm që të dorëzojë çdo imunitet parlamentar me qëllim hetimin e çështjes së ngritur pas akuzave të Berishës.
Gjithashtu Majko thotë se i ka kërkuar Spiropalit që t’i kërkojë informacion Shërbimit Informativ lidhur me aludimet e deklaruara gjatë ditës së djeshme nga Sali Berisha.
“Sot, në takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali!…
I kërkova që brenda protokolleve në fuqi, ti kërkohej Shërbimit Informativ Kombëtar informacion me shkrim, lidhur me aludimet për fshehje informacioni të deklaruar dje në publik nga Sali Berisha!
Kam vendosur që të dorëzoj çdo imunitet parlamentar i cili mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin tim në deklarimet publike të Sali Berishës!”, shkruan Pandeli Majko.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, pasi kreu i PS Edi Rama, bëri ndryshime përsa i përket drejtuesëve politik në qarqet e vendit për zgjedhjet e majit, duke e larguar Majko nga Kukësi dhe duke e sjellë në Tiranë, Berisha nuk vonoi dhe hodhi një lumë akuzash kundër tij.
Berisha e cilësoi Pandeli Majkon si një kriminel elektoral, i cili në bashkëpunim me krimin ka vjedhur vota për qarkun e Kukësit në zgjedhje. Në lidhje me këtë ngjarje, Berisha deklaroi se ka një përgjim të SHISH që e fakton.