Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë nga ambinetet e banesës së tij dhe është nisur drejt ambineteve të SPAK, ku pritet t’i komunikohet akuza për çështjen Partizani.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, ai e konsideroi këtë proces të motivuar politikisht dhe hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Më i motivuar se kurrë për ti dhënë përgjigje këtij zotërisë. Më i motivuar se kurrë për fitoren dhe të gjitha. Sot pres një vendim politik të Edi Ramës, i cili ka zgjedhur mënyrën atërore për të fituar mandatin e katërt, por nuk nuk do të ndodhë, ne do t’ia djegim. Ne do u rikthejmë shqiptarëve votën e lirë, vulletin e lirë dhe rotacionin politik,“ tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse ka kandidat rezervë për kryeministër nëse gjerat shkojnë keq, Berisha tha se Rama nuk do të caktojë kurrë as kandidatin, as kryeministrin dhe as kryetarin e PD.
"Këtë e do Edi Rama, por jo nuk do ja caktojnë kurrë as kandidatin, as kryeministrin dhe as kryetarin e PD," deklaroi Berisha.
Në skenarin aktual të protestës, nuk pritet të ketë akte dhune, por organizatorët synojnë të tregojnë mbështetje ndaj liderit të tyre demokrat Sali Berisha. Pas marrjes së akuzave, Berisha mund të kërkojë një masë më të lehtë se arresti shtëpiak, por për këtë do të duhet të presë vendimin e Gjykatës, që do të vendosë nëse ai do të qëndrojë në këtë masë apo do t'i jepet një masë më e butë.
Ata aktualisht ndodhen në arrest shtëpie, pasi akuzohen si të përfshirë në aferën e dosjes “Partizani”. Malltezi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në njoftimin e SPAK thuhet se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër sa i takon kompleksit Partizani.
Ndërsa sipas SPAK, nga Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Jamarbër Malltezi. Nga ana e Berishës, në cilësinë e tij si Kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.
Po ashtu Berisha si kryeministër ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe bashkëshorti i vajzës së tij.