Në një takim të organizuar në Budapest nga Presidenca Hungareze e Bashkimit Europian, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau shqetësimet dhe pritshmëritë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për çështjet e financimeve dhe burokracive që ndikojnë në zhvillimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Takimi i ministrave të Transportit u fokusua tek konkurrenca në ndërlidhjen e transportit, veçanërisht atij hekurudhor, duke theksuar rëndësinë e korridoreve të transportit që lidhin vendet e Bashkimit Europian dhe ato kandidate.
‘’Megjithatë u fol për çdo çështje që shqetëson vende të ndryshme të Bashkimit Europian, por sigurisht edhe vendet kandidate. Ndava me këtë tryezë të nivelit të lartë shqetësimet që ne kemi përsa i përket financimeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kohës. Koha që është komponenti më i rëndësishëm për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor,” tha Balluku.
Prononcimi i plotë i Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga Budapesti ku mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit
Qeveria hungareze, si mbajtëse e Presidencës për Bashkimin Europian, ka organizuar sot në Budapest takimin e ministrave të Transportit. Një takim, i cili rezultoi shumë konstruktiv, pasi ministrat ishin të gjithë prezentë në tryezë për të diskutuar çështje të rëndësishme, siç është konkurrenca që krijohet përmes ndërlidhjes së transportit dhe sidomos atij hekurudhor.
Megjithatë u fol për çdo çështje që shqetëson vende të ndryshme të Bashkimit Europian, por sigurisht edhe vendet kandidate. Ndava me këtë tryezë të nivelit të lartë shqetësimet që ne kemi përsa i përket financimeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kohës. Koha që është komponenti më i rëndësishëm për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sigurisht ne vlerësojmë maksimalisht të gjithë mbështetjen financiare që Bashkimi Europian po jep përmes projekteve të ËBIF, përsa i përket ndërtimit të hekurudhave në rajonin tonë, pjesë e Korridoreve të VIII dhe të X, por nga ana tjetër ajo për të cilën ne shqetësohemi dhe këtu i referohem të gjithë vendeve tona fqinje, është koha e gjatë dhe burokracia që merr një projekt për t’u realizuar.
Jam ndjerë, për të thënë të drejtën, shumë mirë për faktin se Zëvendëskryeministri Salvini ka mbështetur gjithashtu këtë tezë që vendet e Bashkimit Europian duhet të kenë një fokus të veçantë në zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor, si një zonë qendrore e cila lidh disa nga shtetet e Bashkimit Europian, ashtu siç është rasti i Korridorit të VIII, ku ndërlidhet Bullgaria dhe Italia, dy vende të Bashkimit Europian, por në mes të këtij Korridori qëndron Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si pjesë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar.
Kemi folur për një sërë projektesh të përbashkëta, siç është Korridori i VIII, apo Korridori i X, por nga ana tjetër edhe me kolegun Liburn Aliu, me Ministrin e Kosovës, kemi arritur që të diskutojmë për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës.
Padyshim është folur edhe për çështje të tjera shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian, siç është dekarbonizimi dhe padyshim gjithçka shkon tek korrelacioni i përbashkët për një Europë që do të përfshijë të gjitha vendet edhe ato që sot ndodhen në statusin e kandidatit, por që duhet të kemi iniciativa të përbashkëta, duhet të kemi kuadër ligjor të përafruar dhe mbi të gjitha projekte të cilat shërbejnë jo vetëm zhvillimin lokal, por atë rajonal dhe më gjerë në Europë.