Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i është përgjigjur politikanit Agron Shehaj, pasi ky i fundit ka bërë me dije këtë të enjte se ka kërkuar interpelancë me të. Ajo i drejtohet kreut të Partisë "Mundësia" me emrin "Goni" dhe thotë se është i vetmi vlonjat frikacak që ka njohur.
"Tani ti, Goni, që ke vendosur të ecësh vetë duke bërtitur si trim i trembur, more raport mjekësor kur unë erdha në sallën e parlamentit se më kishe kërkuar interpelancë", shkruan Balluku.
Zëvendëskryeministrja i quan gënjeshtra akuzat publike të Agron Shehaj, duke thënë se ato janë prova se kreu i "Mundësisë" është njësoj si politikanët e tjerë opozitarë. Belinda Balluku shton se edhe ai, do ta marrë përgjigjen më 11 Maj.
"Nuk e di nga çfarë ke frikë kaq shumë që bërtet dhe gënjen sikur këndon, po nëse kishe frikë nga ish-shokët e partisë që të futeshe në sallën e parlamentit dhe more raport mjekësor, bën mirë të kthehesh te shokët, se nuk ecet vetë duke bërtitur nga frika", vijon përgjigja e saj.
Ndërkohë, përpos deklaratave në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, Agron Shehaj ka shpërndarë shënimin e Belinda Ballukut dhe shkurt i ka shkruar: Lëri broçkullat! Hajde të enjten tjetër në Kuvend dhe përgjigju Interpelancës për PPP-në 1.3 miliardëshe. Ke 6 muaj që fshihesh!