Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi po ndjek nga afër zhvillimet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Duke folur nga Miçigani, demokrati shprehu dëshirën e tij personale për fitoren e kandidatit republikan, Donald Trump.
Këlliçi theksoi se në Miçigan, interesi i qytetarëve amerikanë për të votuar është shumë i madh. Ai përmendi gjithashtu praninë e 150 mijë shqiptarëve në këtë shtet, të cilët, sipas tij, kanë potencialin për të bërë një ndryshim të dukshëm në rezultatin e votimeve.
"Çdo votë është në lojë në Miçigan dhe Pensilvani. Dëshira ime personale është fitorja e Donald Trump dhe mendoj se është një zgjidhje më e mirë, por kjo është dëshira ime personale. Në Miçigan, interes i jashtëzakonshëm i qytetarëve për të votuar. Është hera e parë që rezulton që të ketë një interes kaq të madh të qytetarëve amerikanë për të votuar.
150 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Miçigan. Ka një zë shumë të madh. Shqiptarët luajnë një rol të madh në këto zgjedhje në Miçigan. Mund të bëjnë thellësisht diferencën në votimet në këtë shtet. Shumica e atyre që kam pasur mundësinë që të bisedoj, mbështesin Trump për platformën e tij elektorale. Shqiptarët mund të kenë një rol kyç dhe vendimtar për këto zgjedhje në Miçigan.
Mbështetësit e heshtur të Trump janë arma e tij më e madhe që për herë të parë kanë dalë hapur në mbështetje të Trump. Vihet re një mbështetje shumë e madhe për Trump këtë radhë. Unë po flas vetëm për shtetin e Miçiganit." - u shpreh Këlliçi.