Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Basha u bën thirrje emigrantëve: Vota juaj, çelësi për një Shqipëri të re

Shkruar nga Newsbomb
Basha u bën thirrje emigrantëve: Vota juaj, çelësi
Kryetari i Partisë Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është drejtuar sot shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit me një mesazh për t’u regjistruar dhe për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Basha theksoi rëndësinë historike të kësaj mundësie, duke i ftuar emigrantët të bëhen pjesë aktive e transformimit të vendit. Ai vlerësoi rolin e diasporës si një shtyllë e rëndësishme për ekonominë dhe u kërkoi të përdorin votën e tyre për të sjellë një ndryshim thelbësor në politikën shqiptare.

“Sot, për herë të parë, ju keni mundësinë që zëri juaj të dëgjohet dhe të ndikojë në të ardhmen e vendit tonë,” u shpreh Basha, duke i ftuar shqiptarët jashtë vendit të kontribuojnë jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe të lirë nga tranzicioni i tejzgjatur.

Postimi i plotë i Bashës:

Të dashur bashkëatdhetarë kudo ndodheni jashtë atdheut, sot për herë të parë hapet regjistrimi për të votuar për emigrantët. Sot fillon një mundësi historike që zëri juaj të dëgjohet në Shqipëri.

Unë ju ftoj të regjistroheni dhe të bëheni pjesë e ndryshimit, që kaq shumë e kemi pritur. Ju që jetoni larg, por mbani gjithmonë Shqipërinë në zemër, mund t’i jepni vendit tonë një perspektivë të re duke sjellë eksperiencën, vlerat dhe energjinë tuaj.

Për vite të tëra, kontributi juaj ekonomik ka qenë një shtyllë e rëndësishme për familjet dhe zhvillimin e vendit tonë. Të ardhurat tuaja kanë mbështetur mijëra familje, kanë financuar shkollimin e fëmijëve dhe kanë ndihmuar bizneset e vogla të qëndrojnë në këmbë.

Më 11 maj ju keni mundësinë të votoni, të ngrini zërin kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe arrogancës, që ju ka degdisur jashtë Shqipërisë, për çeljen e një kapitulli të ri për ekonominë dhe politikën e vendit, duke e shkëputur nga e shkuara dhe tranzicioni i tejzgjatur, ashtu siç i keni parë e përjetuar në vendet ku jetoni.

Ky është çelësi për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Tani është momenti për ta kthyer dëshirën e mirë në veprim konkret, për t’i kthyer Shqipërisë shpresën për një të ardhme më të mirë.

Regjistrohuni dhe bëhuni ndryshimi

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese