
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se Shqipëria po mbahet peng nga një grusht qeveritarësh dhe oligarkësh, të cilët po e trajtojnë atë si një pronë të përbashkët.
Gjatë një konference të dhënë ditën e sotme në selinë e PD-së, kreu demokrat Basha "shigjetoi" ish-presidentin Ilir Meta duke thënë se ai ka për qëllim që të marrë votat e demokratëve dhe ti trafikojë ato tek kryeministri Edi Rama.
“Duan ta mbajnë Shqipërinë si një pronë të përbashkët të një grushti qeveritarësh, oligarkësh, mundësish të kontrollojnë çdo aspekt të jetës.
Kurrë s’ka qenë më e qartë diferenca, midis një grupi njerëzish që duan status quo-n. S’ka rëndësi njëri në qeveri, tjetri sapo e la postin e presidentit dhe qëllim ka kryesor të bëjë sikur është demokrat i mbaruar që të marrë votat e demokratëve ti çojë tek Edi Rama, ti trafikojë atje”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha në konferencë për media.
Sipas Bashës, këtij grupi nuk i bëhet vonë për asgjë tjetër përveç interesave të tyre personale, pushtetitit dhe pasurimit, ndërsa shton se ato kanë frikë nga afrimi i orës për të dhënë llogari para drejtësisë shqiptare.
“Këtë janë njerëz që nuk u bëhet vonë për asgjë tjetër përveç fatit të tyre personal, pushtetit e pasurimit të tyre, si edhe në rastin aktual frikës së tmerrshme që kanë nga ora e llogarisë. PD qëndron si forca e vetme parlamentare, që kërkon ndryshim rrënjësor”,- tha Basha.