Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së Lulzim Bashës se do të bënte rekurs të vendimit për vulën në Gjykatën e Lartë, duke qenë se e konsideronte atë të padrejtë.
Gjatë një takimi që anëtarët kryesorë të bazës së PD-së kanë zhvilluar me demokratët ditën e sotme në Përmet, Bardhi u tha të pranishmëve që të mos besojnë përrallat me rekurs, pasi ato janë demokratë të njëjtë, ndërsa shtoi se se dera është e hapur për të gjithë.
“Mos besoni tek këto përralla me rekurs, janë demokratë, njësoj si ju. Dera është e hapur dhe ata e kanë vendin këtu”,- tha Bardhi.
Deputeti i PD-së, Flamur Noka përsëriti ftesën për të gjithë demokratët për t’u bashkuar nën çatinë e Partisë Demokratike, teksa evidentoi se do t'i mirëpresin të gjithë si në diversitet ashtu edhe në fraksion.
“Vëllezër motra ejani në shtëpinë tuaj Asnjë nuk na ndan tashmë. Kthehuni të gjithë në shtëpinë tuaj, do të ndiheni në shtëpinë tuaj, aty e keni vendin, ju mirëpresim të gjithëve në diversitet, qoftë ne diversitet, ju mirëpresim edhe si fraksion”,- tha Flamur Noka.
Belind Këlliçi nuk u tregua edhe aq miqësor gjatë deklaratës së tij, ndryshe nga anëtarët e tjerë, pasi deklaroi se nuk do ta dëshironte Bashën që të rikthehej në Partinë Demokratike të bazës duke qenë se ai vshtë përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar përfundoi ai.
“Ali-Basha nuk do të doja të vinte në PD. Ai është përgjegjës për situatën. Ky është vetëm mendimi im personal”,- tha Belind Këlliçi.
Gjykata e Apelit vendosi pak ditë më parë që të lërë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, për t'i lënë vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Megjithatë, këtë vendim Lulzim Basha e ka cilësuar si të padrejtë dhe ka deklaruar se do të bëjë rekurs të tij në Gjykatën e Lartë.