Politikani Lulzim Basha ka reaguar mbi prononcimin e dhënë nga kreu demorkat, Sali Berisha i cili i ka cilësuar deklarata politike akuzat e bëra në vitin 2021 nga Gazment Bardhi që Berisha bashkëpunonte ngushtë me bandën e Suel Çelës, kohë kur PD ishte e përçarë dhe në krye qëndronte Basha.
Në postimin e tij ai e quan Berishën të shitur tek Edi Rama, si një bashkëpunëtor të krimit, i cili ka pranuar të qëndrojë nën pushtetin e kryeministrit.
Ndër të tjera ai shkruan se Berisha e ka të pamundur të mbijetojë pa një kundërshtar politik teksa thotë se i ka mbetur vetëm Lulzim Basha ai me të cilin mund të lëshojë në publik deklarata qesharake, referuar këtu cilësimit si deklarata politike akuza të Bardhit në 2021.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Fatkeqësisht, dosjet e Sali Berishës e kanë kthyer atë në asetin e Edi Ramës, të cilin e përdor për të mbajtur debatin publik larg aferave të panumërta korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj të tmerrshme me krimin.
Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë.
Është e kuptueshme, që politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik, kështu që, përsa kohë Trekëndëshi i Bermudës po shtrëngon radhët në përballjen me SPAK-un, i ngelem vetëm unë me të cilin mund të merret për të hedhur në publik shashka qesharake.
Ndaj jemi më të vendosur se kurrë për të mos i lënë demokratët pa alternativën e duhur dhe të besueshme, me të cilën të ndihen të përfaqësuar, të nderuar dhe jo të tradhëtuar.
“Deklaratat politike, janë politike, nuk kanë asnjë vlerë. E vërteta është se askush nuk e ka denoncuar më shumë se Sali Berisha Suel Çelën, dhe çdo Suel Çelë. Sa i përket lidhjeve me Edi Ramën, është shumë evidente, provohet në të gjitha dokumentet se ai është marr me fushatën elektorale të Edi Ramës, e thotë dhe vetë, është edhe Taulant Balla. Dhe një tjetër që është shpall anëtar i asaj bande, tha që kryetari i vërtetë është Edi Rama dhe ai i din’, tha Berisha në një prononcim prë median pasi doli nga Kuvendi”, ka deklaruar Sali Berisha ditën e djeshme.