Demokrati Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës që vazhdimisht e akuzon për bashkëpunim me Edi Ramën kur ishte në krye të PD.
Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se ka qenë Berisha që i dha votat Ramës për të amnistuar të korruptuarit dhe për të mbyllur listat, dhe në këmbim mori vulën.
Po ashtu ndër të tjera ai shprehet: “më e çuditshmja në gjithë këtë histori është fakti se ndërkohë që unë, sipas tij paskam qenë në bashkëpunim me Ramën, Sali Berishës dhe familjes së tij i shtoheshin lejet e ndërtimit, kullat dhe pasuria”.
Postimi i plotë i Bashës:
Përrallat nga e kaluara të Sali Berishës janë justifikimi i radhës përballë dorëzimit pa kushte të fraksionit të tij tek Edi Rama, me të cilin e bashkojnë të njëjtat halle dhe interesa.
Ai që i dha votat Ramës për të amnistuar të korruptuarit dhe për të mbyllur listat, dhe në këmbim mori vulën për t’u bërë patericë e këtij pushteti të korruptuar, riciklon mashtrime të lodhura për të justifikuar dështimin e pseudo-revolucionit, që nuk ndezi kurrë.
Përpjekjes qesharake për t’u hedhur hi syve demokratëve, për t’i tërhequr zvarrë në zgjedhjet që ai kërkon t’ia falë në tavolinë Edi Ramës, i shtohet viktimizimi i tij përballë McGonigal. Berisha është munduar vazhdimisht gjatë kësaj kohë të rishkruajë historinë, sipas nevojës dhe hallit të tij. Faktet zyrtare të provuara edhe në gjykatën amerikane, tregojnë se Edi Rama bëri gjithçka kundër meje i ndihmuar edhe nga Sali Berisha me riciklimin e të njëjtave akuza e për këtë fakt ai duhej të ndihej i turpëruar e jo të vazhdontë ciklin e mashtrimeve.
Por, më e çuditshmja në gjithë këtë histori është fakti se ndërkohë që unë, sipas tij paskam qenë në bashkëpunim me Ramën, Sali Berishës dhe familjes së tij i shtoheshin lejet e ndërtimit, kullat dhe pasuria.