Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka rikthyer 11 deputetët demokratë të cilët u përjashtuan më herët nga kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha.
Sipas dokumentit të siguruar nga Newsbomb.al, Bardhi ka njoftuar kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën, se deputetët të cilët ishin përjashtuar më herët, duke filluar nga data 3 prill 2024 janë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
"Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj se në mbledhjen e Grupit të datës 03 Prill 2024, në përputhje me neneve 15 dhe 16 të Rregullores së Kuvendit, si dhe Rregullores sẽ Brendshme të Grupit Parlamentar, është vendosur "Revokimi i te gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj Legjislature". Për këtë arsye, të gjithë deputetët që janë vetëdeklaruar në nisje të kësaj Legjislature në përbërje të Grupit Parlamentar, rikthehen/konsiderohen si anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 3 Prill 2024. Në këtë kushte, në mbështetje të nenit 16 të Rreguulores së Kuvendit, lutem të pasqyrohet ky ndryshim i përbërjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në organet e Kuvendit" shkruhet në letrën e Bardhit me datë 9 prill 2024.
Më 29 shtator të vitit të kaluar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë mbledhjes së Kryesisë së forcës politike që ai drejton, njoftoi vendimin për përjashtimin e 11 deputetëve demokratë. Ky vendim nga Basha aso kohe u ndërmor pasi këta deputetë u pozicionuan krah ish-kryeministrit Sali Berisha.
Deputetët që u përjashtuan nga Basha dhe janë rikthyer së fundmi me kërkesë të Gazment Bardhit:
Greta Bardeli
Ina Zhupa
Isuf Çela
Asllan Dogjani
Bujar Leskaj
Edi Paloka
Kastriot Piroli
Lindita Metaliaj
Ludovik Hasanaj
Sorina Koti
Tomorr Alizoti