Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar për emisionin e “Rai3” për Shqipërinë, si dhe për reagimin e Ramës ndaj medias italiane.
Sipas Bardhit, qëndrimi i Ramës është sjellje tipike e njeriut që ka humbur qetësinë, për shkak se ka humbur betejën me fshehjen e të vërtetën.
Po ashtu deputeti me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale, shkruan se ‘Rai 3 është një nga mediat më serioze në botë dhe dokumentari i transmetuar nuk ishte as më shumë dhe as më pak një e vërtetë me të cilën ne shqiptarët përballemi çdo ditë
Reagimi i plotë i Bardhit:
Qëndrimi i Edi Ramës ndaj medias shtetërore italiane “Rai 3” është sjellje tipike e njëriut që ka humbur qetësinë, për shkak se ka humbur betejën me fshehjen e të vërtetën!
Cilido që i kapet në afera korruptive dhe kriminale i quan fillimisht “viktima”, ndërkohë ata që e ballafaqojnë përmes fakteve me të vërteta i etiketon si “shpifës skandaloz”. Këtë ka bërë për të mbrojtur Tahirin, Dakon, Ahmetajn, e të gjithë të tjerët me rradhë, që më pas është detyruar t’i lëshojë, duke u shfaqësuar se kanë ngrënë kumbulla pas shpinës së tij.
Rai 3 është një nga mediat më serioze në botë dhe dokumentari i transmetuar nuk ishte as më shumë dhe as më pak një e vërtetë me të cilën ne shqiptarët përballemi çdo ditë, por që Edi Rama bën gjithçka për ta fshehur me propagandë të dalë boje apo me kontroll/presion mafioz mbi mediat në vend.
Për çfarë ka shpifur Rai 3 që në Shqipëri krimi i organizuar ka përfaqësuesit e tij në institucione dhe qeverisje? Po nëse nuk do t’i kishim, nuk do të detyroheshim të miratonim ligjin më të ashpër për dekriminalizimin e instituvioneve publike, për të pastruar llumin e Edi Ramës në qeverisje dhe institucione.
Për çfarë ka shpifur Rai 3 që në Shqipëri krimi i organizuar gjatë qeverisjes 11 vjeçare të Edi Ramës është forcuar, është pasuruar me pasuri publike? Po mjafton të shohësh çështjen “Metamorfoza” apo aq pak sa kanë dalë nga përgjimet e SKY ECC për të kuptuar se krimi i organizuar nën qeverisjen e Edi Ramës përfiton tendera, prona publike e deri tek statusi investitor strategjik.
Për çfarë ka shpifur Rai 3 që në Laboratorin e Kokainës në Xibrakë ka hije të forta dyshimi për përfshirjen e Olsi Ramës dhe se ky ka përdorur të njëjtin automjet me krerët e grupit kriminal të dënuar apo në arrati? Po mjafton të shohësh dosjen e prokurorisë dhe të dhënat e sistemit TIMS dhe rezulton e provuar se bosi i grupit kriminal Genci Xhixha dhe vëllai i Edi Ranës, Olsi Rama, janë në të njëjtën kohë përdorues të narkoautomjetit me targa AA 653 DM.
Nëse nuk ia del dot të pastrosh llumin e bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tu, të paktën mos sulmo median, mos baltos punën e tyre. Nuk do jetë e largët dita që edhe për “viktimat” e rradhës siç i quan sot, do mbash një fjalim me frymëmarrje të përshpejtuar, ku t’i shpallësh “kumbullangrënës” pas shpinës tënde! Sepse nuk janë vetëm ata, por ti dhe modeli yt qeverisës në këto 11 vite problemi i vërtetë i qytetarëve shqiptarë.