Kreu i grupit parlamentar të PD-s, Gazmend Bardhi do të mbledhë ditën e nesërme deputetët e kësaj force politike. Ndërsa mësohet se mbledhja do të zhvillohet në orën 13:30 në selinë blu, nuk dihen të tjera detaje mbi arsyet e organizimit të saj.
Ndërkohë që kujtojmë se pak kohë më parë, Kuvendi nuk miratoi kërkesën e Bardhit për interpelancë me kryeminstrin Edi Rama mbi çështjen e laboratorit të Xibrakës.
Kjo kërkesë erdhi nga Bardhi pas publikimit të fakteve shtesë mbi çështjen e laboratorit të Xibrakës, ku hodhi akuza për përfshirje të drejtpërdrejtë të vëllait të kryeministrit Olsi Rama.
Në kërkesën e paraqitur për interpelancë, ai kërkonte përgjigje bazuar në 3 çështje kryesore:
1- A ka patur informacione nga shërbimet informative apo strukturat e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e një familjari të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale, apo për përfshirjen e vëllait të tij në këtë veprimtari kriminale? Nëse po, cfarë masash janë marrë. Nëse jo, a ka kryer verifikime dhe a ka kërkuar informacion, pas të dhënave të bërë publike edhe më parë?
2- A ka kërkuar dhe marrë informacion pse i vëllai, person me lidhje të forta politike, është përdorues i të njëjtit automjet me targë AA653DM, që në kohen e planifikimit dhe aktivitetit kriminal të Laboratorit të drogës në Xibrakë, përdoret nga Olsi Rama dhe 3 anëtarët e tjerë të organizatës kriminale?
3- Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës? ”.