Avokati lezhjan Elton Laska, thotë se zbulimi i parcelave me drogë këtë të enjte nga Policia e Lezhës ka ardhur për shkak të luftës së brendshme që po zhvillohet në degën e Partisë Socialiste atje. Operacioni çoi në arrestimin e dy personave dhe ndalimin e vëllait të deputetit Eduard Ndreca, shtetasit Armando Ndreca.
"Lufta e brendshme në PS zbulon parcelat e kanabisit në Malësinë Mirditë, Lezhë. Sot në media doli lajmi për arrestimin e vëllait të deputetit të PS-së Eduart Ndreca për parcelat e kanabisit në Lezhë. Në fakt ai është i shoqëruar, ndonëse policia ende s’ka komunikatë, por duket se me ndërhyrjen e Pjerinit lajmi u bë arrestim në mediat e partisë e normalisht në lojë do të jetë dhe Manja i dosjes 184", thotë avokati.
Laska thotë se Ndreca vetëm është shoqëruar si person i dyshuar dhe ndaj tij nuk ka asnjë komunikatë zyrtare për arrestim, por me ndërhyrjen e kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu, mediat kanë raportuar se atij i janë hedhur prangat.
"U bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. N., 27 vjeç dhe E. Sh., 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi A. N., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale", njoftoi Policia e Lezhës.
Ndërkohë, avokati thekson se Pjerin Ndreu nuk i ka mirë punët me deputetin Eduard Ndreca dhe po përgatit që kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme të dalë Ermal Pacaj. Eksponenti i rëndësishëm i PS në Lezhë dhe zëvendësdrejtori i Bashkisë së drejtuar nga Pjerin Ndreu, pak javë më parë u emërua drejtori i ri i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.
"Pjerini po përgatit Ermal Pacain si kandidat për deputet të PS dhe Eduart Ndreca mesa duket është bërë pengesë për planet e tyre për të çuar në Kuvend yesmenët. Kush e njeh Pjerin e di që me këto skema dhe më herët ka përgjakur Lezhën e Mirditën, e tani sherrin po ja shohin dhe socialistët e ndershëm. Tjetërsimi i votës është ndër krimet më të rënda të sektit të Rilindjes", përmbyll avokati lezhjan Elton Laska.