Deputeti Asllan Dogjani ka treguar se është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme sepse po i hetojnë pasurinë. Ai u ka treguar gazetarëve dhe arsyet e këtij vendimi, si dhe personat që sipas Dogjanit qëndrojnë pas kallëzimit.
"Unë jam për një denoncim që nuk kam pranuar të heshtë në lidhje me grabitjen e pronës publike në Tiranë. Konkretisht, bëhet fjalë për një pronë në pallatin ku unë banoj dhe ndërtuesi, zaptuesi ka legalizuar kopshtin publik. Madje, ka zaptuar dhe pjesën tjetër të pallatit që duhet të përdorej për lulishte.
Ky zaptues, ne si banorë ju drejtuam me kallëzim penal SPAK, sepse toka që është zaptuar ka qenë me pronarë. Ne ju drejtuam dhe Kadastrës, të cilën e falenderojmë, sepse mori masa dhe anuloi procedurën e legalizimit të pronës publike", u shpreh deputeti demokrat.
Asllan Dogjani akuzoi biznesmenin e ndërtimit Ilirjan Çela se ka zaptuar kopshtin publik dhe e ka legalizuar atë (pavarësisht se u anulua më vonë) për të ndërtuar një tjetër pallat, duke zhdukur hapësirat e gjelbërta.
Deputeti demokrat, dikur ish-deputet i PS, zbuloi se ka biseduar për rastin dhe me ministrin e Brendshëm Taulant Balla, kur ky i fundit ishte në këtë detyrë, si dhe kryeministrin Edi Rama.
"Unë kam komunikuar me ministrin e Brendshëm, kryetarin e Bashkisë, kryeministri. Kam komunikuar me Edi Ramën, me letra dhe mesazhe. I kam thënë hajde se kjo që po bëhet këtu bëhet në gjithë Shqipërinë. Ka ardhur dhe ministri Taulant Balla dhe na ka thënë që ke të drejtë", vijoi ai.
Kur është dukur se rasti kishte marrë zgjidhje, Asllan Dogjani tha se ndërtuesi Ilirjan Çela kishte një kushëri deputet në Partinë Socialiste dhe ky i fundit e kishte kallëzuar në SPAK për pasurinë. Deputeti tregoi se ka një shtëpi 100 m2 të blerë në vitin 2006 dhe atje jeton bashkë me tre fëmijët.
"Ky zaptuesi ka një kushëri një deputet të PS. Ky mashtruesi në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Erion Velinë kanë kërkuar në SPAK të më verifikojnë pasurinë. Dhe po më verifikojnë pasurinë, një shtëpi që e kam që në vitin 2006 dhe jetoj bashkë me tre fëmijët", përmbylli ai.