Deputeti Petrit Doda është zgjedhur dje kryetar i Degës së Partisë Demokratike në Kamëz. Ai është prezantuar mes demokratëve nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka dhe deputetja Dhurata Çupi, ndërkohë siç rezultoi ka pasur dhe deputetë të tjerë që nuk janë ftuar.
Një ndër ta ka qenë dhe Asllan Dogjani, i cili është detyruar t'i shkruajë Sali Berishës se përse nuk ishte ftuar në ceremoninë e prezantimit të Petrit Dodës si kryetar i Degës së Kamzës, në një kohë që është deputeti më i votuar i zonës.
"Suksese Petrit Dodes se ja vlen. Por besoj se eshte e demshme ne keto momente kur behet prezantimi i kryetarit te partise dhe nuk thirret deputeti me i votuar i zones…
Une nuk kam nevojë për ftesa as per cermoni se vazhdimisht jam ne kontakt me qytetaret e Kamzës e Paskuqanit, por a keshtu do fitojme?", shkruan deputeti Asllan Dogjani, në një koment publik në llogarinë e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Asllan Dogjani ka marrë 5.177 vota në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, teksa kandidoi nën siglën e koalicionit Partia Demokratike - Aleanca për Ndryshim, nga banorët e Kamzës, Laprakës, Paskuqanit dhe gjithsecilit në bashkitë: Tiranë, Kavajë, Vorë, Rrogozhinë, Kamzë.